“Arrest me burg” për Arnold Kolën, shkaktoi aksidentin ku mbeti i vdekur një polic
Arnold Kola, shkaktari i aksidentit të së dielës në Kamëz, ku mbeti i vdekur një efektiv policie dhe u plagosën dy të tjerë do të qëndrojë në burg.
Ka qënë kjo masa e sigurisë caktuar nga Gjykata e Tiranës për 22 – vjeçarin, i akuzuar për shkelje të rregullave të qarkullimit dhe drejtim mjeti të parregullt.
Kola ka shfaqur pendesë para togave te zeza për veprimin e kryer, duke pranuar përgjegjësinë e tij. Avokati i 22 – vjeçarit, në fund të seancës tha se nuk ka ngritur pretendime duke pranuar masën e sigurisë.
“I mbrojturi prej meje nuk paraqiti asnjë kërkesë për zbutje të masës përpara gjykatës, përkundrazi shprehu vetëm pendesën e madhe për sa ka ndodhur, duke kërkuar ndjesën e madhe familjeve për pasojat. Në këtë moment nuk kemi asnjë pretendim sepse përgjegjësia bie mbi ne”.
Arnold Kola u arrestua të dielën në flagrancë pasi në bulvardin “Blu” në Kamëz përplasi furgonin e policisë. Si pasojë mbeti i vdekur efektivi i policisë, Ervin Haxhiaj, si dhe u plagosën kolegët e tij, Besmir Voji dhe Ismail Hoxha.
Ata ndodhen ende nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës jashtë rrezikut për jetën.
Tv Klan