Arrestimi i Orgest Bilbilit, Lleshaj i kërkon ndjesë kalimtares së plagosur
Një person i rrezikshëm dhe i kërkuar nga autoritetet shqiptare u plagos nga policia dhe më pas u arrestua këtë të premte në Tiranë. Bëhet fjalë për Orgest Bilbilin, i cili kërkohej që prej 2016-s për një vrasje të dyfishtë në Lushnje. Fatkeqësisht nga ngjarja mbeti i plagosur edhe një kalimtare e rastit.
Pas kësaj ngjarje ka reaguar vetë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj. Në një postim në rrjetet sociale ai thotë se i ka kërkuar ndjesë qytetares së plagosur.
“Fatkeqësisht gjatë përplasjes mbeti e plagosur një kalimtare e rastit. Për t’i shprehur solidaritetin dhe për t’i kërkuar ndjesë qytetares së plagosur, bashkë me drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe asaj të Tiranës, bëmë një vizitë në spitalin ku është shtruar qytetarja e plagosur, e cila është nën kujdesin e plotë të mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën”, shkruan Lleshaj.
Ministri është takuar edhe me punonjësit e skuadrës “Shqiponja”, njëri prej të cilëve bëri të mundur neutralizimin e Bilbilit.
“Dëshmuan ato cilësi që të gjithë kërkojmë tek Policia jonë: zgjuarsi, vigjilence, përgjegjësi, profesionalizëm dhe trimëri. Pavarësisht pandemisë, Policia nuk e humbet fokusin tek detyrat e saj bazë”, shkruan Lleshaj në Facebook.
Si ndodhi ngjarja?
Një efektiv i forcave “Shqiponja” i kërkoi Bilbilit t’i tregonte lejen për të dalë nga shtëpia dhe një dokument identifikimi. Por Orgest Bilbili është larguar me vrap. Policia e ka ndjekur, por ai ka nxjerrë një pistoletë nga një çantë dore që mbante me vete dhe e ka kërcënuar se do ta qëllonte.
Në këtë moment, efektivi i policisë i ka kërkuar Bilbilit që të lëshonte armën dhe e ka paralajmëruar duke qëlluar në ajër. Por efektivi i forcave Shqiponja nuk është ndalur. I ka kërkuar të lëshonte armën dhe e ka paralajmëruar duke qëlluar në ajër.
Kur 30-vjeçari i është përgjigjur se do ta qëllonte, atëherë ai ka qëlluar në drejtim të tij duke e lënë të plagosur. Plumbat kanë kapur edhe një kalimtare të rastit, e cila ndodhet jashtë rrezikut./tvklan.al