Arrestohen 20 shqiptarë në Itali për shfrytëzim prostitucioni
Njëzet shqiptarë dhe një grua rumune janë arrestuar nga policia italiane në Milano për shfrytëzim prostitucioni. Grupi i shqiptarëve ka shfrytëzuar për prostitucion 25 vajza të reja nga Evropa Lindore. Secila prej prostitutave bënte 6 deri në 12 mijë Euro në muaj. Hetuesit italianë kanë përgjuar çdo lëvizje të këtij grupi kriminal të shfrytëzimit të prostitucionit.
Veprimtaria ilegale lidhet edhe me një vrasje të ndodhur më 15 Shtator të vitit të kaluar, kur u vra Ilir Berisha. Pak ditë pas vrasjes, policia italiane arrestoi Emiliano Biqmetin 34 vjeç si autor të krimit, teksa po mundohej të arratisej nga vendi. Sipas shtypit vendas, prostitutat janë nga Shqipëria, Rumania, Hungaria dhe Moldavia.
Ato ishin detyruar për të shkuar në Itali. Në fillimet e tyre, nuk paguheshin nga grupi i shqiptarëve, deri sa arritën një nivel të caktuar të përvojës. Ato merrnin 50 deri në 100 Euro për një natë. Në një ditë mund të fitonin deri edhe në 900 Euro. Mes vajzave të shpëtuara është edhe një e mitur. Rrjetit të shfrytëzimit të prostitucionit iu sekuestrua gjithashtu edhe 38 kg marijuanë dhe rreth 25 mijë Euro cash.
/tvklan.al