Arrestohen 3 anëtarët e familjes mbretërore
Tre anëtarë të familjes mbretërore të Arabisë Saudite, duke përshirë edhe vëllain e mbretit janë arrestuar për arsye që ende nuk janë bërë publike. Dy personat e tjerë të arrestuar janë ndër figurat më influencuese të mbretërisë. Ndalimet u bënë publike fillimisht nga gazeta Wall Street Journal, sipas të cilës ndodhën gjatë të premtes.
Tre personat e arrestuar janë vëllai i vogël i mbretit, Princi Ahmed bin Abdulaziz, ish-Princi i Kurorës Mohammed bin Nayef dhe një kushëri, Princi Nawaf bin Nayef.
Këto lëvizje shihen si përpjekje e Princit të Kurorës Mohammed bin Salman për të forcuar pushtetin e tij. Në vitin 2017, dhjetëra figura mbretërore saudite, ministra dhe biznesmenë u izoluan në një hotel në Rijad pasi Princi i Kurorës urdhëroi arrestimin e tyre.
Mohammed bin Salman është një figurë kontraverse. Ai konsiderohet si udhëheqësi de fakto i mbretërisë sidomos pasi u emërua Princ i Kurorës nga babai i tij në vitin 2016./tvklan.al