Arrestohen disa shqiptarë në SHBA
Një operacion i zhvilluar përgjatë 10 ditëve nga autoritetet amerikane çoi në arrestimin e 105 personave. Ata janë me kombësi të ndryshme, përfshirë shqiptarë. Operacioni i finalizuar më 25 Shtator u shtri në dy shtete, Michigan e Ohio.
Në fokus të autoriteteve amerikane ishin emigrantë me precedentë kriminalë dhe shkelës të ligjeve të emigracionit. Të arrestuarit, 96 prej të cilëve meshkuj dhe 9 femra, janë shtetas me kombësi nga 21 vende të botës, si Shqipëria, Maqedonia, Meksika, Kina, Kosta Rika, etj.
Sipas zyrtarëve të emigracionit, qëllimi i këtij operacioni ishte
“rritja e sigurisë së qytetarëve amerikanë
“. 91 përqind e të arrestuarve mësohet se janë me precedentë penalë, megjithatë autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera rreth tyre.
Të arrestuarit, të cilët nuk do të procedohet penalisht pritet që t’i nënshtrohen deportimit nga Amerika. 10 prej të arrestuarve do të përballen me akuzat e rifutjes në shtetin amerikan pas deportimit, një shkelje që dënohet deri në 20 vjet burg.
Numri i shqiptarëve të arrestuar apo shkeljet e tyre nuk janë bërë publike.
/tvklan.al