Arrestohen shqiptarët në Spanjë, kishin ngritur “fabrikën e kanabisit”
Gjashtë persona janë arrestuar në Spanjë gjatë një aksioni anti-drogë. Autoritetet sekuestruan 360 kg marijuanë dhe 2800 bimë narkotike kanabis të kultivuara në disa vende të ndryshme në Valencia.
Policia spanjolle tha se të arrestuarit janë tre burra me origjinë shqiptare dhe tre gra me origjinë shqiptare e kolumbiane. Emrat e tyre nuk janë bërë të ditur, por thuhet se janë të moshave 28-45 vjeç. Të arrestuarit akuzohen për disa vepra penale, ndër të cilat për kultivim droge, organizatë kriminale, trafik droge, falsifikim të dokumenteve.
Hetimet e policisë spanjolle zgjatën 7 muaj, dhe përmes përgjimeve dhe vëzhgimeve në terren arritën të zbulonin veprimtarinë kriminale të këtij grupi. Anëtarët e bandës kishin marrë me qira disa ambiente të ndryshme për të kultivuar kanabisin. Këto ambiente ishin modifikuar dhe kishin krijuar një sistem për të eliminuar erën e marijuanës duke kaluar nëpër filtra ajrimi.
Brenda këtyre “mini-fabrikave”, të arrestuarit kishin krijuar edhe një rrjet të sofistikuar të energjisë elektrike, duke e vjedhur në mënyrë të paligjshme nga pronat e tjera. Sipas hetuesve, kjo metodë ishte bërë për të mos ngjallur dyshime në konsumin e tepruar të energjisë elektrike që përdorej për ndriçimin e bimëve të kanabisit. /tvklan.al