Arrestohen vrasësit e 97 – (4 Shtator 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Policia së fundi arreston pas dy vjet e gjysmë disa autor vrasjesh të ndodhura në ngjarjet e Marsit të ’97. Mesa duket asaj i është dashur shumë punë pë të arritur tek rezultati i pritshëm. Në Shkodër policia e këtij komisariati ka arrestuar shtetasin Çlirim Cafi 26-vjeç. Ndalimi i tij u bë pasi atij ju kap një pistoletë TT të cilën e mbante pa leje. Po ashtu në autoveturën e tij u kap edhe një shtetase moldave e cila ushtronte profesionin e prostitutës.
Cafi dyshohet nga policia e Shkodrës si autor i një vrasje në ’97 dhe i një tjetre në Shkurt të këtij viti. Po ashtu ai mund të jetë edhe vrasësi i një oficeri dhe dy ushtarëve gjatë trazirave të Marsit të ’97.
Ndërkaq policia e Elbasanit ka arrestuar Bujar Buzanin 25-vjeç. Ai është person shumë i kërkuar nga prokuroia e qytetit pasi akuzohet si pjesmarrës i bandës së armatosur të Cerrikut. Kjo bandë u bë e njohur gjithashtu gjatë muajve Mars-Shtator ’97, për shumë vrasje, vënie gjobash, grabitje, etj. Akuza më e rëndë e kësaj bande është ajo për vrasjen e 6 gardistëve, të cilët shkuan jashtë detyrave të tyre funksionale në këtë qytet.
Ndërsa në Kuçovë është dhunuar varri i policit Bardhi Kumria të vrarë po në Mars të ’97 në Urën Vajgurore. Sipas burimeve policore, autorët e ngjarjes janë shtetasit Hali Demo 34-vjeç, i dënuar më parë për vjedhje dhe Lefter Pirja 26-vjeç. Gjithashtu ata kanë dhunuar edhe një varr të një shtetasi tjetër. Policia bën të ditur se është hakmarrja ajo që ka shtyrë të ndaluarit për të kryer këtë vepër të rëndë./tvklan.al