Arrestohet çifti, shfrytëzonin për prostitucion 17-vjeçaren
Vajza u kërcënua se do i vrisnin vëllain, u mbajt në një hotel
Një çift nga Tirana janë arrestuar nga policia pasi shfrytëzonin një vajzë të mitur për prostitucion.
Në pranga janë vendosur Gerald Mali dhe Evisa Mema. 17-vjeçarja e cila banonte me nënën dhe vëllain është dhunuar dhe kërcënuar për të kryer marrëdhënie seksuale me klientë që i gjenin shfrytëzuesit e saj.
Televizioni Klan ka siguruar kallëzimin e bërë nga e mitura në polici, e cila thotë se nuk merrte asnjë lek nga çifti. Ata i jepnin vetëm një vakt ushqimi dhe një paketë cigare, duke i thënë se shumë i ka edhe kaq.
Shfrytëzimi bëhej në një hotel në zonën e Freskut. Kur vajza tentoi të largohej prej tyre, Gerald Mali dhe Evisa Mema i shkuan në banesë dhe i morën vëllain e vogël duke i thënë se do ja vrisnin nëse nuk rikthehej.
Më pas vajza bashkë me nënën dhe vëllain kanë shkuar në polici, e cila ka arrestuar dy të rinjtë që shfrytëzonin të miturën.
Policia ka kontrolluar edhe në hotelin ku shfrytëzohej vajza, ku nga dëshmitë dhe kamerat e sigurisë ka rezultuar se 2-3 persona ishin futur në dhomën e 17-vjeçares ku ndodhej edhe Gerald Mali dhe Evisa Mema.
Tv Klan