Arrestohet Drejtori i Tatimeve Shkodër


Arrestohet Drejtori i Tatimeve Shkodër

12:52 13/06/2016

Është arrestuar me kërkesë të Prokurorisë së Shkodrës, Drejtori Rajonal i Tatimeve, Hysen Hysaj. Ai akuzohet për shpërdorim të detyrës.

Nga hetimi i organit të akuzës ka rezultuar se Hysaj ka kredituar në mënyrë të kundërligjshme të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar me mbi 10 milionë lekë të reja, për një subjekt tregtar.

Prokuroria thotë se kompania në fjalë ka administrator shtetasin me iniciale M.H, që është djali i motrës së drejtorit,  i cili kishte humbur të drejtën e rimbursimit të TVSH-së.

Prokuroria thotë se në bazë të ligjit, kompanitë që importojnë mallra nga jashtë për efekt të biznesit, duhet të paguajnë detyrimet doganore para se të përfshihen në skemën e rimbursimit të TVSH-së.

Në rastin konkret, sipas akuzës, kjo kompani  nuk e ka shlyer detyrimin doganor për disa blerje të vitit 2012 dhe ndërkohë ka bërë kërkesë për rimbursimin e TVSH-së. Nga ana e administratës tatimore rezulton se nuk është kryer asnjë verifikim për kërkesën e subjektit, si edhe nuk është ushtruar kontroll mbi aktivitetin e tij.

Po ashtu, subjekti në fjalë nuk është shpallur debitor nga administrata tatimore për borxhin doganor, detyrim ky që lidhet me verifikimin për rimbursimin e TVSH-së.

Tv Klan






Të ngjashme