Arrestohet Fejzulla, si i shpëtoi ekstradimit 2 muaj më parë
Blenard Fejzulla, një emër i njohur për policinë shqiptare, pjesë e grupit “Kompas”, që merrej me trafikun e kokainës për VIP-at në kryeqytet, është arrestuar nga policia e Fierit.
Ai fillimisht bashkë me dy persona të tjerë, 41-vjeçarin Altin Patoku dhe 31-vjeçarin, Arber Fejzulla kanë shkuar në gjendje të dehur tek burgu i këtij qyteti. Gjatë orëve të natës ata kërkonin me ngulm të takonin një shokun e tyre që vuante dënimin aty. Pas janë përplasur me policët e burgut, ata më pas janë arrestuar nga policia e Fierit.
Pas verifikimit, shenjave të gishtave, rezultoi se 36-vjeçari, Blenard Fejzulla kërkohej nga drejtësia italiane. Ndaj tij në vitin 2013 Gjykata e Milanos ka dhënë masën e dënimit me 15 vite burg, për pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e drogës.
Por Blenard Fejzulla është arrestuar edhe në muajin mars të këtij viti nga policia e Tiranës, po për llogari të autoriteteve italiane. Pasi ka qëndruar për një farë kohe në burg, në mungesë të dërgimit të dosjes nga Italia në Shqipëri ai është lënë i lirë, për tu arrestuar rreth 2 muaj më pas.Fejzulla, njihet si një nga anëtarët e grupit “Kompas” që drejtohej nga Arjan Selimi.
Ky i fundit është ekzekutuar me disa plumba poshtë pallatit të tij. Në Shqipëri për trafikun e drogës Fejzulla është dënuar me 6 vite burg, dënim të cilin e ka kryer. Tani pritet ekstradimi i tij drejt Italisë.
/tvklan.al