Arrestohet ish-luftëtari i ISIS, lëvizte me pistoletë nëpër qytet
Policia e Pogradecit ka vënë në pranga një 27-vjeçar, i cili qarkullonte në qytet me armë zjarri pa leje. Ai është Fatjon Bono, banues në fshatin Vërdovë, me precedentë të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër personit.
“Arrestimi i tij u bë pasi nga informacione të siguruara në rrugë operative, falë veprimeve të mirëkoordinuara, si edhe gjatë kontrollit trupor që shërbimet e Policisë kanë ushtruar ndaj këtij shtetasi në një lokal në lagjen nr 1 në Pogradec, iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri pistoletë tip TT me 1 krëhër me 6 copë fishekë, të cilat i posedonte pa lejen e organeve përkatëse”.
Më tej policia sqaron se Bono dyshohet të jetë autor i ngjarjes së ndodhur më datë 29 Janar, ku në fshatin Vërdovë u qëllua në ajër me armë zjarri.
27-vjeçari nuk është emër i panjohur për autoritetet shqiptare, pasi dy vite më parë ai ishte arrestuar për lidhje me organizatën terroriste të ISIS./tvklan.al