Arrestohet kryeredaktori i gazetës


Arrestohet kryeredaktori i gazetës

11:35 31/10/2016

Turqi- Kryeredaktori i gazetës turke, “Cumhuriyet” një gazetë opozitare laike, është vene ne pranga. Lajmi është bërë i ditur nga gazeta turke në faqen e saj të internetit, ku thuhet se kryeredaktori Murat Sabunxhu dhe një opinionist i gazetës, Guray Oz, janë arrestuar, pas kontrolleve në shtëpitë e tyre.

Sipas zyrës së prokurorit të Stambollit, dy gazetarët janë arrestuar nën akuzën se kanë kryer krime në emër të militantëve kurdë dhe të organizatës terroriste të gylenistëve.

“Një investigim ka nisur që në muajin gusht, ku disa drejtues të gazetës janë hetuar për publikime që kanë tentuar të legjitimojnë grushtin e dështuar të shtetit, të 15 korrikut kundër Erdogan”, thuhet në njoftimin nga zyra e prokurorit të Stambollit. Sakaq, mandat-arreste janë lëshuar edhe për pjesën tjetër të stafit të gazetës.

Ngjarja vjen në kohën kur Qeveria turke po godet këdo, që dyshohet se ka lidhje me klerikun, Fethullah Gulen. Gulen, i cili jeton në mërgim në SHBA, akuzohet nga autoritetet në Turqi për orkestrimin e grushtit te dështuar të shtetit, akuzë të cilën kleriku e ka mohuar.

Gjatë javëve të fundit në Turqi janë mbyllur dhjetëra media, përfshire një numër të madh të atyre kurdë. Ndërsa muaj me pare, ish-redaktori i gazetës “Cumhuriyet”, u dënua me gjashtë vjet heqje lirie pasi ka publikoi sekrete shtetërore, që tregonin përfshirjen e Ankarasë në operacionet në Siri./ TV KLAN






Të ngjashme