Arrestohet ndihmësi i terroristit të Berlinit
Policia e Berlinit arrestoi këtë të mërkurë një 40 – vjeçar tunizian, i dyshuar se ka mbështetur terroristin Anis Amri të kryejë masakrën në kryeqytetin gjerman, ku humbën jetën 12 persona. Hetuesit arritën tek tuniziani që jetonte në Berlin, nga celulari i sekuestruar i Amri, i gjetur pranë kamionit me të cilin ai kreu sulmin.
Numri i tij gjendej në listën e kontakteve të terroristit tunizian. Në këtë rubrikë kontaktesh, mësohet se janë gjetur edhe disa numra të kompanive telefonike italiane, çka rrit dyshimet për kontakte të Anis Amri me individë me rrezikshmëri të lartë në Itali.
Ditën e eliminimit të tij nga policia italiane, mediat në vendin fqinj shkruanin se tuniziani është pjesë e një celule të vendosur pranë Milanos. Sipas autoriteteve gjermane, 24 – vjeçari tunizian kishte dërguar disa mesazhe zanore të njohurve në Berlin dhe në qytete të tjera, vetëm pak minuta para masakrës së 19 Dhjetorit.
Tv Klan