Arrestohet në Rinas një vrasës
Arrati e Muhamed (Bledar) Lekës, një 42-vjeçari me banim në Lushnje ka marrë fund këtë të enjte, pasi u arrestua nga efektivët e policisë në Rinas.
Leka, i dënuar me 12 vjet e 2 muaj burg për vrasje, u kap pasi gjatë intervistimit nga autoritetet kufitare, u bë i mundur zbulimi i identitetit të vërtetë të tij. Policia sqaron se Leka po tentonte të kalonte kufirin me leje kalimi, me të dhëna të falsifikuara.
“Muhamed Leka erdhi si pasagjer nga jashtë shtetit me Leje Kalimi me emër tjetër, por punonjësit e Policisë Kufitare, gjatë përpunimit të dokumentacionit kanë shfaqur dyshime dhe pas një intervistimi profesional të kryer nga Specialistët për hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas rezultoi se ishte person në kërkim për veprën penale “Vrasje e kryer në bashkëpunim”,
thuhet në një njoftim zyrtar të policisë.
Autoritetet sqarojnë se më 18 Nëntor të vitit 2003, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnje ka bërë njohjen e vendimit Penal të Gjykatës së Krimeve të Rënda Verona në Itali, e cila e kishte dënuar me 12 vjet e 2 muaj burgim për veprën penale “Vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim” të arrestuarin. Leka iu dorëzua Komisariatit të Policisë Lushnje për veprime të mëtejshme.
/tvklan.al