Arrestohet nipi i terroristit të Berlinit
Policia tuniziane arrestoi 3 persona, të dyshuar se kishin lidhje me terroristin e Berlinit, Anis Amri. Mes tyre mësohet se është edhe nipi autorit të masakrës, i cili rrëfeu se kishte komunikuar së fundi me të përmes chatit. Ministria e Brendshme në Tunizi njoftoi se 3 të arrestuarit ishin pjesë e një celule aktive terroriste, ndërsa nipi i Amri mbështetës i ISIS.
Një ditë pas eliminimit të Anis Amri, 24-vjeçarit tunizian që u vërsul me kamion në tregun e Krishtlindjeve në Berlin, duke vrarë 12 persona e plagosur 49 të tjerë, disa pikëpyetje janë ngritur rreth trajektores së tij terroriste. E para dhe më e rëndësishmja që ngrenë mediat e huaja, është se si tuniziani arriti të kalojë lehtësisht përmes kufijve 3 vendeve europiane, edhe pse ishte shpallur personi më i kërkuar nga të gjitha forcat e sigurisë në kontinent. Ekspertët europianë kundër terrorizmit vënë seriozisht në dyshim, sigurinë në zonën Shengen, duke nënvizuar se duhet të rishikohet kontrolli në pikat kufitare.
Sipas kësaj harte të ndërtuar nga mediat italiane, Anis Amri ka udhëtuar qetësisht thuajse përgjatë të gjithë territorit gjerman, duke përfituar nga orët e para pas masakrës, ku ende nuk dihej asgjë për të, pasi fillimisht u arrestua emigranti pakistanez. Të enjten pasdite tuniziani kishte marrë trenin nga jug-lindja e Francës për në Torino, në Itali, për të ndaluar më pas në Milano në orën 1 të mëngjesit të së premtes. Pikërisht në Milano ai ndalohet nga policia, ku pas një shkëmbimi zjarri me oficerët mbetet i vrarë.
Prokurorët italianë po hetojnë arsyen përse Amri kishte ardhur në Milano dhe a kishte në qëllim të godiste Italinë. Dyshimet janë se ai mund të jetë pjesë e një celule xhihadiste e vendosur pikërisht në qytetin verior italian, që do ta ndihmonte të dilte nga Europa.
Tv Klan