Arrestohet polici që vrau 25-vjeçarin
Akuzohet për tejkalim të kompetencave
Ky është Klodian Rasha, 25-vjeçari u qëllua për vdekje nga një efektiv i forcave “Shqiponja” pak pas mesnate, në zonën e Laprakës në Tiranë.
Ishte ora 01:45 minuta, kur një patrullë e policisë me dy efektivë, i kërkoi të ndalonte, pasi, siç thotë policia, kishte parë disa veprime të dyshimta të tij në një orar ku lëvizja është e ndaluar.
“25-vjeçari Klodian Rasha ishte duke shkuar në banesë dhe efektivët e Shqiponjave i kanë bërë thirrje për të ndaluar. Ai nuk është bindur dhe ka vijuar rrugën me vrap. Pikërisht pranë banesës së tij, oficerët e policisë kanë dyshuar se në dorë ai mbante një armë dhe e kanë qëlluar për vdekje, në këtë vend”.
Efektivi i policisë me inicialet N.H ka qëlluar dy herë në drejtim të të riut. Vetëm njëri plumb e ka prekur. I ka hyrë në shpatull dhe i ka kaluar në afërsi të zemrës. Është dërguar me urgjencë në spital, por aty ka ndërruar jetë.
Dy efektivët e policisë thane se nuk kishin arritur të shihnin pamje të qartë, për shkak se sipas tyre rruga ishte e pandriçuar. Efektivi N.H deklaroi në polici se e përdori armën pasi ishte ndjerë i rrezikuar për jetën.
I riu rezultoi se nuk kishte armë në dorë. Por një pistoletë me një karikator të mbushur u gjet rreth 80 metra larg vendit ku ai u vra.
Arma dyshohet se i përket atij dhe është dërguar në laboratorin e Kriminalistikës, por familjarët e viktimës e hedhin poshtë këtë version.
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme e arrestuan efektivin e forcave “Shqiponja”.
Pavarësisht pretendimeve të tij se ishte ndjerë në rrezik jete, SHÇBA dhe Prokuroria e Tiranës e akuzojnë për vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme, vepër penale që parashikon dënim deri në 7 vite burg.
Punonjësi i policisë dhe viktima nuk kishin njohje të mëparshme. Efektivi N.H kishte më shumë se 2 vjet e gjysmë në polici dhe kohët e fundit ishte transferuar tek forcat Shqiponja nga komisariati numër 5 i Kamzës.
Tv Klan