Arrestohet rrëmbyesi egjiptian i dy shqiptarëve


Arrestohet rrëmbyesi egjiptian i dy shqiptarëve

15:35 28/06/2016

Adel Muhamed Salam është arrestuar në portin e Aleksandrisë në Egjipt. Konfirmimi vjen nga Interpol Tirana pas komunikimit me autoritet policore egjiptiane.

Ndërkohë peshkarexha shqiptare “Celepia 2” është gjetur në brigjet e Aleksandrisë nga autoritetet egjiptiane, por ende nuk dihet fati i dy marinarëve shqiptarë Luan Mema dhe Dhimitër Malaj të marrë peng 8 ditë më parë nga kolegu i tyre egjiptian Adel Muhamed Salam.

Ky i fundit pas arrestimit nuk ka pranuar të bashkëpunojë për gjetjen e dy marinarëve.

Sipas të dhënave paraprake të mbërritura tek pronarët e anijes, në bord janë gjetur tre egjiptianë, ndërkohë që edhe rrëmbyesi i anijes nuk ishte aty. Gjetja e anijes është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet shqiptare, të cilët janë në kontakte të vazhdueshme me ato egjiptiane.

Anija e “Çelepia 2” kishte dalë për peshkim  me 18 qershor nga porti i Durresit, duke u denoncuar e zhdukur vetëm katër ditë më pas tek autoritetet. Menjëherë pas nisjes së hetimeve, autoritetet faktuan se ajo ishte marrë peng nga shtetasi egjiptian Adel Mohamed Salam, 30 vjeç, me pretendimin se pronari i anijes i kishte një borxh prej 70 mijë eurosh, të cilin nuk ia ka shlyer, por ky pretendim i cili është mohuar vazhdimisht nga pronarët e anijes.

Fillimisht Adel Mohamed Sallam  kërcënoi se do të fundoste anijen së bashku me dy marinarët, nëse nuk i kthehet borxhi prej 70 mijë eurosh. Në një komunikim tjetër tha se anijen e kishte shitur tek trafikantët 100 mijë euro së bashku me dy marinarët me qëllim kalimin e klandestinëve. Një ditë më parë  permes nje video mesazhi ai kërkoi transfertën e shumës prej 70 mijë euro, në rast të kundërt do të digjte anijen.

TV KLAN






Të ngjashme