Arrestohet rrëmbyesi i fundit i vogëlushes nga Kakavija (13 Nëntor 1999)
Arrestohet grabitësi i katërt i vogëlushes nga Kakavija, Sofie Goga. 20 vjeçari Fitim Logli kërkohej prej kohësh nga Policia Gjirokastrite pasi dyshohej si bashkëpunëtor në rrëmbimin dhe mbajtjen peng për ditë me rradhë të vogëlushes së mitur.
Pas lirimit të vogëlushes, Policia e Gjirokastrës drejtuar nga kolonel Pjerin Ndreu kishte arritur të kapte tre nga rrëmbyesit të cilët aktualisht u janë nënshtruara procesit gjyqësor, por grupit i mungonte grabitësi i fundit i cili është arrestuar mbrëmë vonë nga Policia drejtuar nga Ndreu. Aksioni i policisë e ka kapur në befasi Fitimin i cili strehohej tek stanet e xhaxhait të tij në malet e Zhulatit.
Policët kanë vënë në pranga dhe një ish koleg të tyre të dalë në lirim, djalin e xhaxhait të Fitimit, Pajtimin pasi e kishte strehuar atë dhe nuk kishte dorëzuar armatimin personal. Me arrestimi e grabitësit të katërt plotësohet dhe numri i të pandehurve në bankën e të akuzuarve procesi i të cilëve aktualisht nuk ka arritur në ndonjë fazë pozitive për shkak të shtyrjes disa herë të seancave gjyqësore./tvklan.al
Gazetar: Eduart Frangaj