Arrestohet Shemsie Kadria (12 Gusht 1999)


Arrestohet Shemsie Kadria (12 Gusht 1999)

14:28 12/08/1999

Arrestohet në Izmir të Turqisë bosja e firmës Gjallica Shemsie Kadria. Sipas burimeve nga Ministria e Drejtësisë, ajo e Rendit dhe Prokuroria e Përgjithshme ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë. Arrestimi i Kadrisë nga policia turke është bërë mbi bazën e një mandat arresti ndërkombëtar të lëshuar për të dhe mbi bazën e bashkëpunimit nëpërmjet Interpol Tiranës dhe zyrës së Interpolit të Turqisë.

Sot autoritetet zyrtare shqiptare kanë nisur drejt Turqisë të gjitha dokumentet e kërkuara nga drejtësia turke që vërtetojnë akuzat e ngritura ndaj Kadrisë si krijuese e një firme mashtruese piramidale dhe për vjedhjen e shumave të mëdha të qytetarëve shqiptarë në bashkëpunim. Sipas rregullave ndërkombëtare të ekstradimit nëpërmjet kanaleve të Interpolit, shteti yne është i detyruar që brenda 40 ditësh të dërgojë të gjitha vendimet juridike që vërtetojnë me prova akuzat ndaj Kadrisë.

Duhet dërguar dhe një vërtetim se bosja e piramidës nuk rrezikon dënimin me vdekje në Shqipëri. Pak ditë më parë drejtësia gjermane ka liruar një tjetër shef të firmave piramidale asaj me emrin Silva, Pëllumb Shehaj. Kjo pasi shteti shqiptar nuk çoi brenda 40 ditëve dokumentet për policinë gjermane e cila u detyrua ta linte të lirë Shehajn. Nuk dihet ende nëse edhe këtë radhë Kadria do të ketë të njëjtën fat si kolegu i tij./tvklan.al






Të ngjashme