Arrestohet shqiptari në Athinë për shpërndarje kokaine
Një 34-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e autoriteteve greke për posedim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.
I arrestuari u prangos në zonën e Kalitheas në Athinë dhe akuzohet se trafikonte kokainë në qendër të kryeqytetit grek. Gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën dhe sekuestruan 192 gram kokainë, 300 Euro, dy peshore elektronike dhe doza kokaine gati për t’u shpërndarë.
Identiteti i 34-vjeçarit të arrestuar nuk është bërë i ditur, por mediat greke raportojnë se shqiptari e kishte shtrirë aktivitetin e shitjes së kokainës në disa lagje të Athinës.
Hetimet e autoriteteve greke vazhdojnë për të zbardhur tërësisht veprimtarinë kriminale dhe për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë. /tvklan.al