Arrestohet vëllai i Fethullah Gulenit
Policia turke ka arrestuar vëllain e imamit Fethullah Gulen, i cili akuzohet nga Ankaraja për organizim të grushtit të shtetit të 15 Korrikut.
Kutbettin Gulen është arrestuar nga policia në shtëpinë e familjarëve të tij, në Izmir.
Kutbettin Gulen është familjari i parë i arrestuar i Gulenit, që pas puçit të dështuar ushtarak .
Vëllai i imamit 75-vjeçar, është vënë në pranga nën akuzën se është anëtar i një grupi të armatosur terrorist, ndërsa po merret në pyetje nga forcat e anti-terrorit.
Fethullah Gulen, një nga ish-aleatët e Presidentit Erdogan, jeton në azil që nga viti 1999. Ai është i akuzuari direkt për grushtin e dështuar ushtarak ndaj Erdoganit.
Gulen ka mohuar më herët të ketë lidhje me ngjarjen, ndërsa ka thënë se ai drejton një organizatë paqësore, e quajtur Hizmet.
Turqia i dërgoi një kërkesë zyrtare Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për arrestimin e imamit Fethullah Gulen, i cili akuzohet nga autoritet turke si organizatori i grushtit të dështuar të shtetit me 15 Korrik.
Në total autoritetet turke kanë arrestuar më shumë se 40 mijë persona dhe kanë pezulluar mbi 100 mijë ushtarë, policë e civilë, të dyshuar si të lidhur me Fethullah Gulen.
Tv Klan