Arrestohet vrasësi i Artan Cukut


Arrestohet vrasësi i Artan Cukut

15:38 11/06/2017

Ky që po shihni në këtë foto dyshohet se është personi qe vrau ish-drejtorin policisë së Vlorës, Artan Cuku me 8 prill të këtij viti.

“Autor i kësaj ngjarjeje është shtetasi Mikel Edmond Shallari, i datëlindjes 1993, lindur në Kuçovë dhe banues në Qytetin Studenti, Tiranë.”

Është 24-vjeç. Ai u ndalua pranë parkut të autobusëve në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele në një makinë. Bashkë me të u shoqëruan një djalë dhe një vajzë që ishin në të njëjtin automjet.

Për prokurorin Henrik Ligori, i cili ka drejtuar hetimet e kësaj çështjeje, provat tregojnë se nuk ka asnjë dyshim që Shallari është ekzekutori i komisar Artan Cukut.

“Ne aktualisht dimë që dora që ka tërhequr këmbëzën është e Mikel Shallarit.”

Policia thotë se provat janë të shumta.

“Sigurisht që provat e administruara deri në këto momente janë të konsiderueshme.”

Por, për grupin hetimor nuk është e qartë nësë ai ka vepruar për llogari të tij apo të të tjerëve.

“A është njëkohësisht edhe ideatori i këtij krimi? Këtë nuk mund ta themi dot. Ne sot dimë me siguri ekzekutorin material të krimit. Ideatorin ende nuk e dimë. Mund të jetë Mikel Shallari, mund të jenë edhe persona të tjerë. Për këtë gjë, ne po hetojmë në vazhdimësi.”

Ajo qe dihet është se 24 –vjecari nga Kuçova nuk ka vepruar i vetëm.

Drejtori i policisë së shtetit Haki Çako tha se janë shpallur ne kërkim dy persona te tjerë të cilët kanë patur rol aktiv në vrasjen e ish-oficerit.

“Sigurisht që ka edhe persona të tjerë të shpallur ‘në kërkim’, të cilët janë bashkautorë, roli i të cilëve do të përcaktohet gjatë hetimit me kalimin e kohës.”

Mikel Shallari i ka mohuar akuzat. Pasi është njohur me provat nga prokurori ka patur një modifikim te qëndrimit, por nuk ka pranuar të bashkëpunojë.

“Po, unë kam pasur dy komunikime me të, ai vazhdon të këmbëngulë, të mohojë përfshirjen e tij në këtë krim, si ekzekutor material i tij. Nga ana ime së bashku më kolegët e Policisë, të cilët gjej rastin t’i falënderoj për punën shumë profesionale që kanë bërë, që nga data 8 Prill 2017, kur u konstatua vrasja e të ndjerit Artan Cuku dhe deri në ndalimin e këtij personi, ky i fundit është marrë në pyetje, i janë ofruar të gjitha indiciet dhe provat që e ngarkojnë atë me përgjegjësi, të cilat duhet të themi që janë të rëndësishme, janë të sakta, dhe të gjitha na çojnë drejt faktit që ai është ekzekutori material i krimit, për këtë nuk ka dyshime.  Ai është njohur me to, ka një modifikim të qëndrimit, natyrisht nga ana jonë i janë ofruar të gjitha lehtësitë që parashikon ligji në rastin e bashkëpunimit me drejtësinë, ende nuk kemi një përgjigje prej tij”, tha prokurori.

Policia dhe Prokuroria thanë se po punojnë për të sqaruar nëse Shallari është paguar për krimin, apo ka pasur vete konflikte me Cukun, i cili ne vendlindjen e 24 –vjeçarit ka mbajtur funksionin e nëndrejtorit të policisë.

/Tv Klan






Të ngjashme