2.5 ton drogë drejt Italisë, arrestohet nënkomisari i policisë
Një tjetër drejtues i lartë i policisë sipas Prokurorisë rezulton i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës. Festim Lelaj aktualisht me detyrë nënkomisar në Fier dyshohet si përgjegjësi kryesor i trafikimit të 2.5 tonëve kanabis nga porti i Durrësit në drejtim të Italisë në janar të këtij viti.
Madje Lelaj cilësohet si organizatori i këtij rrjeti trafiku dhe si personi që siguronte lëndën narkotike. Ai u ndalua bashkë me Skënder Siceqan dhe Arbi Mustafën. Prokuroria për Krime të Rënda nisi hetimin pasi autoritetet italiane në Ankona zbuluan një kamion me lëndën narkotike, i cili drejtohej nga shqiptari Dhimo Koraj.
Para pak kohësh në pranga ranë edhe Demo Progonati, Euron Hoti dhe Malton Lleshi, Aurel Lazaj për të cilët është caktuar masa e sigurisë arrest me burg.
Ndaj Nënkomisarit të Fierit, Festim Lelaj i cili pritet të dalë përpara togave të zeza ditën e enjte, rëndojnë dy akuza, ajo për trafik droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe për shpërdorim detyre.
Lelaj është drejtuesi i katërt i lartë nga radhët e policisë ndaj të cilit Prokuroria ka ngritur akuzë për bashkëpunim në trafikun e drogës. Në kërkim janë edhe ish-drejtori i policisë së Vlorës Jaeld Çela, Sokol Bode ish-komandant i postës së kufirit në Dhërmi dhe Gjergj Kohila, ish-shef i hetimit të krimit të organizuar në Policinë e Vlorës.
Tv Klan