Arrihet konsensusi për ligjin e SPAK-ut
Mazhoranca dhe opozita kanë gjetur dakordësinë për Ligjin e Njësisë së Posaçme Hetimore, që njihet ndryshe si SPAK -u.
Në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, demokratët depozituan një opinion me 31 faqe, shumica e të cilave u pranuan edhe nga ekspertët ndërkombëtarë të OPDAT -it dhe EURALIUS -it.
Pas mbledhjes, Nënkryetari i Komisionit, Oerd Bylykbashi tha se shumë prej çështjeve të ngritura nga opozita, që binin ndesh me Kushtetutën, e që sipas demokratëve, kanë të bëjnë me ndërhyrjen e qeverisë dhe kontrollin prej saj të gjykatave speciale dhe SPAK -ut, morën zgjidhje.
Sipas Bylykbashit, e vetmja pikë që pritet të rishikohet nga palët ditën e nesërme ka të bëjë me procedurat që garantojnë pavarësinë e këtyre strukturave.
Opozita propozon që këto struktura të jenë të pavarura dhe kërkon ngritjen e një komisioni Ad Hoc, i cili do të bëjë shqyrtimin në përzgjedhjen dhe emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Gjykatave/Prokurorive të Posaçme, hetuesve të Njësisë së Posaçme Hetimore, si dhe punonjësve të tjerë të këtyre organeve kushtetuese.
Projektligji për SPAK -un është një nga 6 nismat, që duhet të miratohen deri në fund të Shtatorit nga parlamenti.
Tv Klan