Arrihet marrëveshja, Kakavija do të qëndrojë e hapur gjatë natës së sotme
Pas bisedimeve mes Shqipërisë dhe Greqisë, pala greke ka pranuar që të punojë gjatë gjithë natës së sotme në pikën kufitare të Kakavijës deri para orës 06:00 të mëngjesit të datës 16 Gusht, kur dhe hyjnë në fuqi rregullat e reja për të hyrë në shtetin fqinj.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila njofton se puna në doganën e Kakavijës do të vijojë edhe pas orës 22:00, ndryshe nga herët e tjera, kur kufiri mbyllej në këtë orë për shkak të rregullave anti-covid.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën me dije se pas bisedimeve të gjata me palën greke përgjatë këtyre ditëve, në nivelet më të larta me autoritetet e saj, është arritur mirëkuptimi që pika kufitare e Kakavijës të vijojë punën edhe pas orës 22:00. Kufiri do të qëndrojë i hapur vetëm përgjatë natës së sotme duke vijuar me të njëjtat ritme intensive të testimit dhe kalimit të shtetasve të mbetur në rradhë në Kakavijë, deri nesër, e diel, dt.16 gusht 2020, ora 22:00”, njofton Ministria.
Nga dita e nesërme, kushdo që hyn në Greqi do të karantinohet për 7 ditë. Ndërsa nga e hëna e 17 Gushtit, do të kalojnë vetëm 750 persona në ditë nga pika e Kakavijës, dhe 300 persona në ditë nga dogana e Kapshticës.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton të gjithë shtetasit se duke nisur nga nesër dt. 16 gusht 2020 për të gjithë ata shtetas të cilët hyjnë në Greqi do të zbatohet karantinimi i detyrueshëm 7 ditor. Gjithashtu, nisur që nga dita e hënë, dt. 17 gusht 2020, nga pika kufitare e Kakavijës do të kenë mundësi të kalojnë vetëm 750 persona në ditë, ndërsa nga ajo e Kapshticës vetëm 300 persona në ditë, në fashën orare 06:00 deri në orën 22:00, konform rregullave të vendosura nga pala greke, si pasojë e situatës së krijuar nga COVID-19”.
Ministria e Jashtme ka bërë të ditur edhe kushtet që duhet të plotësojnë personat të cilët lejohen të udhëtojnë drejt Greqisë.
“Të gjithë ata shtetas të cilët plotësojnë kriteret e vendosura për të udhëtuar drejt Greqisë (qytetarët me shtetësi greke, personat që kanë leje qëndrimi në Greqi, personat me kartë minoritari, personat që kanë vendbanimin e tyre kryesor në Greqi, si dhe ata që e kanë të domosdoshme të udhëtojnë për arsye profesionale-pas marrjes së lejes së posaçme) nga dita e hënë, duhet të paraqesin në kufi edhe dokumentacionin sa më poshtë:
– Testin negativ të COVID-19 (RT-PCR), i cili duhet të jetë kryer deri 72 orë para mbërritjes në pikën e kalimit kufitar, nga laboratorët publike apo private të certifikuara në Shqipëri. Ky rregull nuk vlen për shoferët e kamionëve që transportojnë mallra dhe fëmijët nën 10 vjeç.
– Vërtetimin diagnozë të përkthyer në anglisht, në të cilin duhet të jenë të shënuara emri, mbiemri dhe numri i pasaportës/numri i kartës së identitetit të individit.
– Vërtetimin e plotësimit të formularit të posaçëm PLF, me kodin QR (nga adresa elektronike https://travel.gov.gr).
Nënvizojmë se testi i COVID-19 (RT-PCR) është i vlefshëm vetëm nga laboratoret e linçesuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilat mund ti gjeni në faqen zyrtare: https://shendetesia.gov.al/mbi-njohjen-e-strukturave-jopublike-per-kryerjen-e-testit-rt-pcr/ “. /tvklan.al