Arrihet marrëveshja me Listën Serbe
Krerët e koalicionit PAN kanë kërkuar nga kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci që të caktojë seancën konstituive për ditën e nesërme.
Kjo kërkesë e koalicionit PAN ka ardhur pas një takimi që krerët e këtij koalicioni kanë pasur me presidentin e vendit, Hashim Thaçi.
Burimet e
Klan Kosovës
kanë mësuar se tashmë është arritur marrëveshja që AKR-ja të heqë dorë nga Ministria e Bujqësisë dhe ajo t’i takojë Listës Serbe.
Ishte pikërisht kjo Ministri që po e kërkonte Lista Serbe që bëri që gjatë gjithë ditë së sotme të zhvillohej një takim maratonik mes krerëve të PAN-it, Agim Bahtirit të AKR-së dhe kreut të Listës Serbe, Goran Rakiç.
Kjo Ministri fillimisht i ishte dhënë Listës Serbe nga koalicioni PAN, por gjërat ndryshuan pas nënshkrimit të marrëveshjes mes këtij koalicioni dhe AKR-së, ku kjo Ministri i takoi më pas kësaj të fundit.
Por ishte Lista Serbe që nuk pranonte të bëhej kompromis lidhur me këtë dikaster qeveritar dhe duket se bëri kështu që AKR-ja të dorëzohet.
/KlanKosova