Arrihet marrëveshja SHBA – Rusi për Sirinë
SHBA dhe Rusia kanë arritur më në fund një marrëveshje mbi Sirinë, e cila jo vetëm do nisë me armëpushim ditën e hënë, por pritet gjithashtu që të çojë vendin drejt një tranzicioni politik.
Njoftimi erdhi pas bisedimeve midis Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry dhe homologut të tij rus, Sergei Lavrov.
Sipas marrëveshjes, qeveria siriane do t’i japë fund luftimeve në disa zona të kontrolluara nga opozita siriane, ndërsa dy fuqitë e mëdha do të krijojnë një qendër të përbashkët për të luftuar grupet xhihadiste, përfshirë Shtetin Islamik.
“Në mënyrë që marrëveshja të rezultojë e suksesshme, qeveria dhe opozita duhet të jenë bashkëpunues dhe të përmbushin detyrimet e tyre”
, tha Kerry në Gjenevë. Ndërkohë që Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov garantoi se qeveria siriane ishte gati për të përmbushur zotimet e saj.
Sakaq, armëpushimi i cili parashikon të vendoset në të gjitha zonat e rrethuara duket ende i vështirë për t’u arritur në Alepo.
OKB -ja ka përshëndetur marrëveshjen dhe është zotuar të ofrojë ndihma humanitare në vendin e shkatërruar nga lufta 6 – vjeçare.
Tv Klan