ARRSH dështon me sigurinë në “Rrugën e Kombit”, banorët heqin blloqet e betonit: S’kemi nga të kalojmë


ARRSH dështon me sigurinë në “Rrugën e Kombit”, banorët heqin blloqet e betonit: S’kemi nga të kalojmë

15:35 29/05/2016

Shpenzimet e bëra një javë më parë nga Ministria e Transporteve dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar për të rritur sigurinë në Rrugën e Kombit kanë shkuar dëm.

Blloqet e betonit që u vendosën për të bllokuar hyrje daljet që pëdoren nga disa fshatra përgjatë segmentit Kukës – Morinë, kanë zgjatur vetëm pak ditë.

Banorët e Shtiqnit, Rexhepajt dhe Kodër Lumës i kanë hequr, pasi kalimi përmes i autostradës është e vetmja mundësi e tyre. Thonë se bllokimi ishte sa për sy e faqe dhe i paplanifikuar, pasi atyre nuk u është lënë asnjë mundësi kalimi.

Ky aksion që angazhoi vetë Ministrin e Transporteve dhe Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar erdhi në kulmin e zbulimit të një skandali me cënimin e sigurisë nga ky autoritet, në rrugën Plepa – Rrogozhinë, çka bëri që një aksident të përfundonte me vdekjen e dy fëmijëve.

Por siç faktohet nga këto pamje, ai ka dështuar dhe këto hyrje –dalje në autostradë vazhdojnë të mbeten po njësoj rrezik për aksidente me pasoja fatale.

Pompoziteti i Ministrit të Transporteve Edmond Haxhinasto dhe Drejtorit të tij të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika, jo vetëm u shfry si tollumbace, por reagimi i tyre me aksione mediatike dhe pa projekte përfundoi në shpërdorim të fondeve publike, duke e lënë sërish këtë rrugë të pasigurtë.

Për cënim të sigurisë rrugore me ndërgjegjie dhe shpërdorim të fondeve publike duke i shaktuar shtetit një dëm prej 4.5 milionë eurosh, Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Dashamir Xhika është kallëzuar penalisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, për rrugën Plepa – Rrogozhinë.

Tv Klan






Të ngjashme