Arsenal rikthehet në stërvitje
Londinezët i japin fund karantinës, zbresin në fushën reale
Arsenali është gati për rinisjen e kampionatit. Londinezët duket se kanë hedhur pas krahëve periudhën e vështirë, ku shumica prej tyre, mes të cilëve edhe trajneri, Mikel Arteta ishte prekur nga virusi famëkeq, Covid-19.
Por gjasat janë që gjendja te topçinjtë është normalizuar dhe për këtë kanë vendosur të zbresin në fushë. Sipas faqes së klubit, lojtarët dhe stafi teknik do të zbresin në fushë ditën e sotme për të rinisur zyrtarisht stërvitjen, për t’u bërë edhe klubi i parë në 5 Ligat kryesore në elitë që rikthehet në fushën e vërtetë stërvitore.
Natyrisht frika nuk ka kaluar plotësisht dhe për këtë kontaktet fizike mes pjesëtarëve do të jetë shumë i pakët. Lojtarët do të punojnë me rotacion, në grupe me nga 5 dhe do të mbikëqyren rreptë nga pjesëtarët e stafit, që të mos thyejnë rregullat e distancimit.
Futbollistët do të kryejnë të njëjtat ushtrime, por pa qenë
në kontakt me njëri-tjetrin. Lojtarët do të paraqiten në kompleksin stërvitor “Colney”
të veshur për stërvitje, ndërsa dushin do ta bëjnë në shtëpi.
Asnjë strukturë tjetër e klubit nuk do të jetë e hapur, përveç fushave të
stërvitjes. Futbollistët do të kenë në dispozicion një numër të caktuar topash,
të cilat do të dezinfektohen në fund të stërvitjes.
Në fushat e stërvitjes do të jenë të pranishëm edhe pjesëtarë të stafit mjekësor. Çdo seancë do të zgjasë një orë.
Gjithsesi, do të jetë një stërvitje jonormale dhe e kushtëzuar, por për momentin ky është protokolli që duhet ndjekur të paktën deri më datën 7 Maj, kur edhe përfundon gjendja e jashtëzakonshme në Mbretërinë e Bashkuar./tvklan.al