Arsimi, fëmijët që shesin në rrugë – (11 Korrik 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Këto pamje që po i shihni në ekran nuk janë marrë nga arkivi përkundrazi janë filmuar sot. Shumë fëmijë të tjerë si këta në përpjekje për të mbijetuar janë të detyruar të shesin rrugëve të Tiranës. Kjo ndodh sepse prindërit e tyre janë të papunë. Është llogaritur se rreth 250 milion fëmijë punojnë në botë duke qenë të detyruar të lenë shkollat.
Ky fenomen po merr përmasa gjithnjë në rritje sidomos në Shqipëri. Në fakt vetëm në Tiranë 595 nxënës kanë braktisur shkollat sipas Drejtorisë së Arsimit Tiranë. Për këtë arsye Tv Klan i mori një intervistë Drejtorit të Qendrës Arsimore të sektorit të Bashkisë, zotit Eduard Kelmendi për strategjitë për ti rifutur këta nxënës sërisht në shkolla.
Eduard Kelmendi:- “Ne si drejtori ekonomike në bazë të ligjit të dekretit të Presidentit arsimi 8-vjeçar është i detyrueshëm. Ka një normë dënimi për të gjithë nxënësit që nuk frekuentojnë shkollën. Norma ka qenë 8 mijë lekë në muaj dhe kjo marrëdhënie deri tani nga drejtoria jonë është ndjekur në masën 10% – 15% numrit të nxënësve të cilët kanë braktisur shkollën”.
Kështu shumë nxënës janë të privuar nga arsimi. Kjo nga ana e saj gjymton përparimin e tyre intelektual. Në se shteti nuk do të ndërhyjë më një strategji të caktuar qartë dëmi që do ti shkaktohet arsimit kombëtar do të jetë katastrofik./tvklan.al