Arti i harruar i vorbave (Video)
Emisioni “Histori Shqiptare” solli këtë herë në vëmendjen e publikut, zejen e lashtë sa vetë njerëzimi, atë të krijimit të enëve prej balte.
Zanafillën e këtij arti të harruar e të shpërfillur ne e gjejmë në një nga luginat më të bukura të Shqipërisë, atë të Fanit të Madh, e cila ndodhet në qytetin e Pukës.
Në fshatin Gojan gjendet ende një familje, e cila ruan akoma traditën e lashtë të prodhimit të vorbave, e cila ka mbajtur gjallë zonën ndër shekuj.
Lekë Gjinbiba dhe djali i tij Shkëlzeni, edhe pse jetojnë në këtë fshat të vogël, fama e tyre ka kapërcyer kufijtë, deri në Mal të Zi, Maqedoni dhe Kosovë. Babë e bir janë të vetmit që e ushtrojnë këtë zanat në Gojan, pa menduar që ta lënë ndonjëherë.
Lekë Gjinbiba shprehet se nuk e ka lënë këtë profesion, për shkak se me anë të tij, ka siguruar të ardhurat për shkollën e pesë fëmijëve.
Ky zakon përcillej ndër breza nga babai tek i biri ose nga xhaxhai tek nipi, por gojanasit përdornin shprehjen ‘Sekretin e mirrshe ma mirë prej babës”.
Shembulli më i mirë është Shkëlzeni, i cili nuk e braktisi fshatin, por vendosi të trashëgojë zanatin e të atit. Poçaria është profesioni i tij i dytë, pasi jep mësim gjithashtu në shkollën e mesme të Gojanit.
“I gjithë fshati e la këtë zanat. Kanë qenë marrë pothuajse të gjithë. Meqë erdhi drejt shterimit ky zanat, mbeti vetëm baba. I thashë babës nuk do të lë të fundit unë, do jesh i parafundit. I fundit deri tani do të jem unë”,
thotë Shkëlzeni.
Vorbat e Gojanit i kemi parë në të gjitha restorantet tradicionale në Shqipëri. Vitet e fundit, janë rikthyer në kuzhina sepse tërheqin shumë turistët, por nga ana tjetër, gatimi me vorbat e Gojanit, ka një shije që asnjë enë tjetër nuk e jep.
Në hanin e Përparim Laçit, vorba është dekori kryesor pranë oxhakut dhe natyrisht në meny nuk mungon asnjë gatim i bërë në këtë objekt.
Laçi shprehet se gatimi në vorbë, ose siç quhet nga banorët e zonës vegshe, ka një shije tjetër, nga ai i enëve të aluminit dhe inoksit. Ai thotë se gatimi në vorbë ka tërhequr turistët dhe ka tashmë është rritur kërkesa për to. Fasulet, lakrat, patatet dhe mishi i thatë, janë disa nga gatimet që mund të gatuhen në vorbë, sipas Laçit.
Alma Çupi:
Në Gojan vorbat kanë marrë nam edhe përtej kufijve, për shkak të një balte të veçantë që ndodhet në pishat në Majën e Likës, që njerëzit e quajnë Maja e botës, e cila i ka bërë këta banorë të jenë më të sukseshmit në fushën e përpunimit të enëve të baltës.
Për shkak të mungesës së një ure, Shkëlzeni dhe i ati kalojnë mespërmes lumit, dy herë në vit për të mbledhur sasinë e baltës.
Materiali me të cilin gojanasit krijojnë vorbat është nuk është baltë, as dru, por një gur i cili thërrmohet shumë lehtë dhe ka shkëlqim. Sekreti i këtij guri është fakti që në sipërfaqe ai përmban xixa, që durojnë temperaturën. Bota e gojanit, është e dy ngjyrave, e bardhë dhe e kuqe dhe duhet të përzihen të dyja, që vorba të jetë rezistente.
Procesi për krijimin e materialit të nevojshëm për krijimin e vorbave, konsiston në thërrmimin e gurit dhe më pas përzierjen e tij me ujë për të krijuar baltën, e cila shtypet me këmbë. Pasi vorbës i jepet forma, ajo piqet në zjarr me dru dhe më pas lyhet me dhjamë bagëtie, për t’i dhënë ngjyrën.
Sipas Lekë Gjinbibës, sekreti i këtij zanati është i gjithi tek shtypja e baltës.
Shkëlzen Gjinbiba tregon gjithashtu, se tregtia e vorbave në kohën e komunizmit ka qenë e ndaluar, por gojanasit e kanë ushtruar këtë veprimtari fshehurazi.
/tvklan.al