Artistët të ndarë për Teatrin Kombëtar


Artistët të ndarë për Teatrin Kombëtar

15:00 25/06/2018

Projekti për Teatrin e ri Kombëtar vazhdon të mbajë të ndarë në dy kampe artistët. Në tryezën e radhës me arkitektë dhe urbanistë, një pjesë e aktorëve u shprehën pro ndërtimit të një godine të re, ndërsa një tjetër grupim i qëndrojnë idesë për ruajtjen e ndërtesës ekzistuese.

“Shprehim mendimin tonë paraprak se prona që posedon Teatri Kombëtar, duhet të shfrytëzohet vetëm për godinën e re të Teatrit, duke mos cënuar tjetërsimin e asnjë pjese të kësaj prone “,

tha artisti Artan Imami.

Ndërsa aktori Neritan Liçaj u shpreh se

“komuniteti i aktorëve, shoqëria civile dhe qytetarë të angazhuar, që janë bashkuar në qëndresën për mbrojtjen e teatrit, kërkon dialog dhe bisedime konstruktive”.

Kryebashkiaku ka dhënë menjëherë përgjigje për të dy qëndrimet e artistëve.

“Para se të fliste Neritani, e kisha në celular ekzaktësisht çfarë do të thoje dhe porosinë që more nga partia. Që edhe ju të kuptoni se kush po i lëviz fijet e kësaj kundërshtie. Nëse ju thoni se që jeni dakord për një godinë të re, që doni të përfshiheni në komisionin negociator, që prona e teatrit të ngelet vetëm e teatrit dhe që procesi të jetë transparent, unë jam gati të them po që tani”.

Diskutimet pro dhe kundër këtij projekti mes artistëve dhe urbanistëve vijuan për disa orë.

Ndërkohë, urbanistët dhe arkitektët i kanë qëndruar sërish idesë se godina aktuale e Teatrit nuk mund të rikonstruktohet, për të sjellë një teatër modern dhe për më tepër ajo paraqet rrezikshmëri të lartë në gjendjen aktuale.

Tv Klan






Të ngjashme