
Artisti 20-vjeçar që triumfoi në Moskë (Video)
Edlir Reka është një djalë 20 vjeç nga Berati, i cili dëshiron të jetë triumfues në ngjyrat e jetës. Ai ka përfunduar Liceun Artistik për pikturë dhe thyen çdo rregull të artit klasik. Ai pikturon ku të mundet, në atlete, gurë, pjata dhe telajo. Me një natyrë të veçantë artisti, Edliri që në moshën 5-vjeçare kur nisi të pikturonte, gjëja e parë që bënte ishin njerëzit. Më tej ai ka patur një raport shumë të afërt me pikturën, me të cilën është vlerësuar me disa çmime brenda dhe jashtë vendit.
Në vitin 2017 ka fituar çmimin “Piktura më e Mirë” organizuar nga Muzeu Kombëtar. Vitin e kaluar ka fituar çmimin e dytë në një konkurs në Stamboll dhe çmim të parë në Gjermani. Më pas ka qenë pjesëmarrës në Vjenë, Spanjë e Rio De Zhanero.
Në datën 5-6 shtator, ai hapi ekspozitën e tij të parë në Tiranë tek Reja, të titulluar “Rrugëtim Frymëzues”. Sot piktori ishte i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, nga ku rrëfeu emocionet e çmimit më të fundit në një konkurs në Rusi, ku piktura e tij do të qëndrojë në “Muzeun e Artit Modern” në Moskë.
“Nga gëzimi i fitores kam qarë atë ditë. Kur jam futur brenda në “Muzeun e Artit Modern” të Moskës thashë faleminderit Zot që arrita këtë ditë. Ishte krenari e madhe. I ndjeja rrahjet e zemrës që rrihnin nga emocionet. Kur mua më ftuan në fakt u bë një ngatërresë. Në email mua më shkruhej që je i ftuar për ekspozitë dhe unë u përgatita për ekspozitë. Por kur shkova në Rusi informatorja na tha të përgatitemi për konkursin. Dhe unë u habita, i thashë që isha ftuar për ekspozitë. Por u sqarua çdo gjë, mua më kishin keqinformuar dhe atë natë e kam marrë pikturën dhe e kam bërë nga e para për gjithë natën në hotel. Ajo ka qenë aventura më magjike e jetës time. Kam hequr shumë stres, por jam krenar që e fitova konkursin. Nga të gjitha pikturat, e imja ishte e vetmja që u var në galeri e njomë. Që të mos e preknin, vendosëm një shirit të zi ku shkruhej: Mos e prekni se është e njomë. Kur u thërrit në skenë emri im ndjeva një emocion të jashtëzakonshëm”,
tha Reka.
/tvklan.al