As fëmijët nuk janë imunë nga Covid
Të paprekshëm nga Covid, nuk janë as fëmijët, madje disa prej tyre kanë shfaqur edhe komplikacione. Sipas të dhënave të Shërbimit Pediatrik në QSUT të shtruar janë 4 fëmijë. Dy prej tyre të moshave 6 dhe 8 vjeç, të cilët janë konfirmuar prej më shumë se një javë me Covid-19.
Për shkak se këta fëmijë kanë sëmundje bashkëshoqëruese kanë shfaqur komplikacione, por gjendja e tyre sipas mjekëve pediatër është e stabilizuar.
Ndërkohë që në pritje të përgjigjeve të testit, ditën e sotme janë edhe dy fëmijë të tjerë të cilat janë paraqitur në pediatri ditën e djeshme, me temperaturë dhe vështirësi në frymëmarrje, një rreth 4 vjeç, ndërsa vogëlushi tjetër ende nuk ka bërë 2 vjeç.
Një foshnjë 18-muajshe është dërguar nga Qendra Kombëtre e Urgjencës pas mesnate në Urgjencën Pediatrike, pasi ishte me temperaturë të lartë dhe ka shfaqur konvulksione.
Sipas mjekëve, gjasat janë që fëmija të jetë i infektuar, pasi prindërit e tij ishin pozitivë me Covid-19, por nuk kanë shfaqur asnjë shenjë klinike.
Sipas mjekëve pediatër, fëmijët nuk janë imunë nga Covid-19. Madje ata që kanë probleme mjekësore, neurologjike, gjenetike, metabolike, ose që kanë sëmundje të lindura të zemrës, mund të rrezikojnë më shumë për të patur komplikacione të rëndë nga COVID-19, në krahasim me fëmijët e tjerë.
Ata apelojnë për kujdes maksimal, edhe për fëmijët. Shpesh herë sipas tyre prindërit alarmohen, pasi çdo simptomë e lidhin me koronavirusin, por në këtë periudhë ka edhe viroza stinore apo infeksione të tjera baketerologjike, të cilat mund të shkaktojnë temperaturë apo edhe diarre.
Klan Plus