Rama: Ligji i importit të mbetjeve, i domosdoshëm


Rama: Ligji i importit të mbetjeve, i domosdoshëm

15:15 01/10/2016

Aktivistëve të shoqërisë civile që protestonin përpara Kryeministrisë kundër ligjit që lejon importin e mbetjeve, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj nga Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste.

Megjithëse nuk e përmendi protestën, ai tha se miratimi i ligjit ishte domosdoshmëri jo vetëm për një Shqipëri më të pastër, por për të mos lejuar edhe falimentimin e industrisë ricikluese, duke hedhur poshtë akuzat se pas ligjit fshihet mafia e plehrave.

Për më shumë se një orë përpara Asamblesë, kryeministri u ndal tek reformat e ndërmarra në tre vjet qeverisje.

Biznesit i premtoi se nuk do ketë më rritje taksash në paketën fiskale të 2017-ës, ndërsa tha se në buxhetin e vitit të ardhshëm qeveria do të bëjë rritjen më të madhe të pagave dhe pensioneve në 25 vjet.

Në mbledhjen e asamblesë u vu re edhe mosprania e deputetit Ben Blushi, i cili një ditë më parë konfirmoi largimin nga Partia Socialiste, në të cilën militoi për afro 20 vite. Për mungesën e tij Rama ka këtë koment: “

Nuk e di. S’e vura re, ishte a s’ishte”

.

Një pjesë nga fjala e kryeministrit Edi Rama

Nëse do të bënim një inventar të gjithë reformave të ndërmarra nga qeveria, do të ishte padyshim inventari më i plotë i gjithë këtyre 25 viteve. E filluam me një reformë që duhej për rregullimin e territorit. Duke bërë në radhë të parë betejën frontale për të ndaluar zhvillimin e mëtejshëm të gangrenave në territor.

Ndaluam zhvillimin kaotik në territor. Ndërsa reforma në sektorin e energjisë është më shumë rëndësi. Pasi shënon një kthesë historike në raportin tonë me shtetin. E nisëm reformën duke filluar njësoj si me reformën e territorit e cila pastaj u shtri në një sërë aspektesh themelore, që nga reforma administrative, tek krijimi i planeve të përgjithshme kombëtare; reforma në drejtësi, u bë si një reformë që duhet të ndante të shkuarën me të ardhmen. Dhe kush konsumon energji duhet ta paguajë atë. Dhe ajo ata që e vjedhin, të paguhen nga ata që e paguajnë energjinë.

Vendosëm një vijë të qartë ndarëse mes atyre që janë realisht shtresa në nevojë dhe kanë nevojë për mbështetje lehtësuese për të paguar faturat e energjisë. Ndërsa të tjerë u larguar nga skema, pasi u strehuan si abuzues brenda shtresave në nevojë.

Kjo reformë ishte një pjesë e rëndësishme e shëndoshjes së financave të shtetit. 433 971 familje e biznese debitorë që në vite thellonin borxhin në sektor duke mos paguar, janë sot në aktmarrëveshje, dhe shlyejnë me këste borxhet e akumuluara në vite. Janë 213 mijë familje që ndihmohen drejtpërdrejt sipas niveleve me subvencione nga ana e shtetit. Jo vetëm çmim mesatar i energjisë për konsumatorët familjarë nuk u rrit po u ul nga 9.7 në 9.5 leke për kilovat. Sot është fakt që nuk ka më faturim afrofe. Por, çdo konsumator ka matësin e vet dhe paguan për atë që tregon matësi. U fshinë nga sistemi faturimet abuzive të 48 mijë abonentëve. Iu kthyen publikut 15 milionë dollarë.

Si dhe 72 milionë dollarë kamatëvonesa të falura nga zbatimi i skemave lehtësuese. Është me rëndësi projekti i linjës së interkonjeksionit me Kosovën dhe projekti i unazës energjetike të jugut. /tvklan.al






Të ngjashme