Asgjësohen 11810 bimë kanabis në Shkodër
Policia e Shkodrës ka bërë të mundur zbulimin dhe asgjësimin e plot 11810 bimëve kanabis.
Burime zyrtare nga kjo polici bëjnë me dije se 1040 bimë u zbuluan në vendin e quajtur Lumi i Ndërfushajve dhe Maja e Qerpikut, në fshatin Mazrrek, në zona të pyllëzuara me shkurre. Gjatësia e bimëve narkotike shkonte nga 20 – 100 centimetra.
640 bimë u zbuluan në vendin e quajtur Përroi i Sheut, në fshatin Benë, të Vaut të Dejës.
Ndërsa 10130 bimë u gjetën në vendin e quajtur “Ishull në mes të dy degëzimeve të lumit Drin”, në fshatin Kosmaç, po në Vaun e Dejës.
Policia po punon për kapjen dhe identifikimin e autorëve.
Në një tjetër aksion të policisë, u bë i mundur ndalimi i dy personave, për akuzën e kultivimit të lëndëve narkotike.
Në pranga kanë rënë, Kryeplaku i fshatit Dush të Pukës, 57 – vjeçari Gjergj Pergjegjaj dhe 29 – vjeçari, Florian Pergjegjaj, me banim në Durrës.
Sipas policisë, ndalimi i tyre u bë pasi në vendin e quajtur “Mrizi i Krahnes”, të fshatit Dush, u gjetën të kultivuara dhe u asgjësuan 311 bimë kanabis. Përveç kultivimit të bimëve narkotike, mbi Kryeplakun e Dushit rëndon edhe akuza për shpërdorim detyre./tvklan.al