Ashpërsohet lufta tregtare SHBA-Kinë
Ashpërsohet më tej e ashtuquajtura “luftë tregtare” mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës. Pas zyrtarizimit të tarifave që prekin 25% të importeve kineze në SHBA, me vlerë 34 miliardë dollarë, presidenti amerikan është i vendosur të vijojë politikën shtrënguese, për të rikthyer Amerikën, siç thotë ai, aty ku e meriton. Një tjetër paketë tarifash prej 200 miliardë dollarësh, plus 300 miliardë të tjera në një moment të dytë, mund të vendosen për produktet kineze, tha Trump.
Nëse do të hynte në fuqi, masa e fundit e tarifimit të 500 miliardë dollarëve, do të mbulonte të gjithë vlerën e importit të mallrave kinezë në SHBA, çka do të ishte goditja më e rëndë për ekonominë kineze.
Pekini akuzoi Uashingtonin për “bullizëm tregtar”, duke nisur luftën më të madhe tregtare në histori. Qeveria kineze paralajmëroi se do ta denoncojë çështjen në OBT.
Një orë pasi SHBA-të vendosën tarifat, Kina u përgjigj me të njëjtën monedhë për 545 prodhime amerikane, po me të njëjtën vlerë të përgjithshme, 34 miliardë dollarë.
Dara e tarifave amerikane prek prodhimet kineze të teknologjisë së lartë. Ndërsa Pekini goditi industrinë e automjeteve, prodhimet bujqësore dhe të mishit të derrit dhe disa prodhime artizanale amerikane.
Tv Klan