15:52 15/04/2014Ka kaluar thuajse 1 muaj dhe pavarësisht vendimit të qeverisë për shpronësimin e tokës për varrezat, situata ka mbetur aty ku ishte.Shpronësimet nuk janë kryer nga Bashkia e Tiranës, për shkak se prefekti, përfaqësues i qeverisë, e ka bllokuar buxhetin, në të cilin ishte përcaktuar edhe fondi për blerjen e tokës për varreza. Bashkia e Tiranës njoftoi sot se nuk ka më vend për varrime në asnjërën prej varrezave publike, atë të Sharrës dhe Tufinës. Në njoftimin e Bashkisë thuhet se “Bllokimi i buxhetit e bën të pamundur kryerjen e shpronësimit të varrezave dhe realizimin e projekteve për krijimin e hapësirave të reja, varrezave murale dhe sistemimin e atyre ekzistuese.’Në këto kushte, Bashkia i bën thirrje kryeministrit të reagojë dhe të zhbllokojë menjeherë buxhetin, në mënyrë që t’i jepet zgjidhje kësaj situate dramatike.Ky problem vijon prej fundit të vitit 2013. Për disa muaj, dosja e shpronësimeve mbeti në Ministrinë e Brendshme. Bashkia dhe Ministria akuzuan njëra-tjetrën për zvarritje. Ministri Tahiri e quajti problematikë të panevojshme. Por kjo problematika vijon ende dhe prej ditës së Mërkurë, në Sharrë e Tufinë nuk do të pranohet të kryhet asnjë varrim.