Astrit Hafizi, intervistë (13 Gusht 1999)
Intervistë me trajnerin e ekipit kombëtar të futbollit, Astrit Hafizi.
Astrit Hafizi: Planet ndryshuan për ekipin kombëtar, ndryshuan në një kohë shumë të shkurtër sepse kështu erdhi dhe situata duke pasur parasysh mosardhjen e lojtarëve në kohën e duhur per arsye të ndeshjeve që unë e kam deklaruar edhe disa kohë përpara. Kjo është një diçka që nuk i shërben tamam ashtu siç duhet një grumbullimi të ekipit kombëtar, por jemi të detyruar të zbatojmë disa rregulla që ka edhe UEFA përsa i përket grumbullimit të ekipit kombëtar. Ne do të grumbullohemi menjëherë ditën e hënë në Ljubjanë, ku dhe tre ditët e fundit përpara ndeshjes me Slloveninë do t’i shfrytëzojmë për stërvitje duke bërë të hënën, të martën dhe të mërkurën paradite. Gjendja e tyre normalisht nuk është optimale e lojtarëve sepse sapo kanë mbaruar edhe fazën përgatitore por e njëjta gjë është edhe për kundërshtarin. Njëkohësisht u shtuan pak dhe mungesat e lojtarëve të cilat nuk janë të favorshme për skuadrën tonë, sidomos e fundit tashti e Lalës i cili është i dëmtuar në gju, Bushi është me kartelë, po ashtu dhe Fakaj është i dëmtuar. Megjithatë grupi i lojtarëve mendoj që kemi zgjedhur për këtë ndeshje tashmë është e shpallur, mendoj që do të gjejnë mundësinë për të përballuar këtë kundërshtar të cilin e kemi shumë të freskët në ndeshjen e fundit që kemi luajtur në Tiranë. Shpresojmë të bëjmë diçka më të mirë se sa në ndeshjen e parë këtu në Tiranë, por çdo gjë do të shihet në ditët që do të kemi stërvitjen në Ljubjanë./tvklan.al