Atentat kryepolicit të Beratit (7 Shtator 2000)


Atentat kryepolicit të Beratit (7 Shtator 2000)

11:39 07/09/2000

Atentat kryepolicit të antikrimit të Beratit. Shefi i Policisë Kriminale të Prefekturës së Beratit u plagos mëngjesin e sotëm nga persona tashmë të identifikuar nga policia në afërsi të Qafës së Koshovicës në Fier. Ilir Ngresi, banor i qytetit të Fierit, po shkonte me makinën e tij drejt Beratit ku kryen detyrën e shefit të Policisë Kriminale në drejtorinë e kësaj prefekture.

Në vendin e quajtur “Kodrat e liqenit” në Fier, persona të armatosur i kanë prerë rrugën dhe kanë qëlluar me armë zjarri drejt tij duke e plagosur atë. Mësohet se drejtuesi i policisë u dërgua më pas në spitalin e qytetit të Fierit dhe sipas burimeve, gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën. Nuk jepen hollësira për motivet e ngjarjes, por burime saktësojnë se autorët e krimit janë identifikuar dhe se për kapjen e tyre janë ngritur postblloqe policore.

Ngresi ka pak kohë që është emëruar dhe nuk dihet të ketë patur ndonjë përplasje apo konflikt të veçantë me ndokënd. Ai ka kryer detyrën ashtu siç duhet pohon eprorët e tij duke shtuar se shumë shpejt atentatorët dhe kolegët e tyre do të prangosen.

Atentati i sotëm ndaj shefit të policisë kriminale të Beratit vjen pas shumë vrasjesh dhe plagosjesh të uniformave blu, ku rasti më i fundit dhe më i bujshëm është vrasja e drejtorit së Policisë së Shkodrës Arben Zylyftari një muaj më parë./tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj






Të ngjashme