Atentat ndaj dy të plagosurve të masakrës së 3 Shkurtit
Bledar Muça, një emër i njohur për policinë, mbeti i plagosur në një atentat të tipit mafioz të ndodhur paradite në Elbasan.
Ai u qëllua me breshëri automatiku teksa po lëvizte me makinën e tij, nën shoqërinë e shtetasit Florenc Çapja, edhe ai i dyshuar për disa ngjarje kriminale. Plumbat kapën 37-vjeçarin Muça dhe një efektive të policisë së shtetit. Ajo është M.K 49 vjeç, e cila u gjend rastësisht në vendin e ngjarjes. Të dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën. Bledar Muça dhe Florenc Çapja të cilët po udhëtonin me mjetin tip Ford me targë AA234 FR u qëlluan me breshëri kallashnikovi nga persona ende të paidentifkuar, në rrugën “28 nëntori” mes Gjykatës së Rrethit dhe Maternitetit të Qendrës Spitalore Elbasan. Dëshmitarët në vendgjarje treguan se njëri prej autorëve ka qenë i veshur me kamuflazh ushtrie dhe gjatë momentit të largimit ka hedhur automatikun në soletën e një banese private pranë vendgjarjes. Policia dyshon se të përfshirë në ngjarje kanë qenë dy persona. Nga plumbat ka mbetur i dëmtuar dhe automjeti tjetër tip Volskvagen. Pista kryesore e hetimit është ajo e hakmarrjes, për shkak të dyshimeve se Muça dhe Capja kanë qenë të përfshirë në disa ngjarje kriminale e vrasje. Policia ka shoqëruar 15 persona për t’i marrë në pyetje. Tv Klan