Një 19-vjeçar, atentator i familjes Hasanaj
Flasin babë e bir: S’kemi konflikte me askënd
Ky është Ilirjan Hasanaj, i cili qëlloi me armë në drejtim të kreut të Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe Mentor Hasanaj, ne rrethrrotullimin e “5 Heronjve” në Shkodër, duke e lënë të plagosur atë së bashku me të atin 70 vjeç.
Kanë të njëjtin mbiemër, por nuk kanë lidhje farefisnore dhe atentatori jeton në Shkodër.
19-vjeçari është djali i një ish – efektivi të policisë.
Është identifikuar nga rrobat dhe një celular që la 500 metër larg vendit të atentatit, bashkë motoçikletën e vjedhur që përdori.
Nuk ka precedentë penalë, por 19-vjeçari dyshohet se është përdorur si vrasës me pagesë.
Policia e Shkodrës e ka shpallur në kërkim. Në shtëpinë e tij, babai ka thënë se ai nuk ishte kthyer në shtëpi.
Shefi i Policisë Bashkiake në Malësinë e Madhe, Mentor Hasanaj konfirmoi se autori ishte një djalë i ri, por tha se nuk e njihte.
Në dëshminë para prokurorëve ai ngriti dyshime për ngatërrimin e shënjestrës.
Por sipas policisë, skema e atentatit dëshmon për një antentat të mirëmenduar çka hedh poshtë pretendimet për ngatërrim objektivi.
Kjo edhe për faktin se polici bashkiak po udhëtonte me makinën e punës, lehtësisht e identifikueshme.
Ndërsa babai i tij, Xhelal Hasanaj, mësohet se ka përmendur para hetuesve një konflikt pronësie që familja ka pasur vite më parë.
Në makinën e punës, Mentor Hasanaj kishte edhe bashkëshorten, por ajo u shpëtoi plumbave.
Tv Klan