Athina i dorëzon Shkupit projekt-marrëveshjen për emrin


Athina i dorëzon Shkupit projekt-marrëveshjen për emrin

15:08 20/03/2018

Athina ka gati variantin e saj të projekt-marrëveshjes që synon zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë. Marrëveshja u është dërguar zyrtarëve në Shkup dhe pritet të diskutohet gjatë vizitës së Ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias në Shkup, të enjten dhe të premten. Këtë e konfirmoi vetë kryediplomati grek në një intervistë për televizionin publik ERT. 

“Ne kemi përgatitur një tekst me propozimet tona për mënyrën e zgjidhjes së problemeve të hapura me Shkupin. Teksti është dërguar para disa ditësh në Shkup”.

Sipas shtypit grek, marrëveshja 20 faqëshe ka 55 paragrafë me propozime, por nuk jep detaje. Ajo është hartuar në mënyrë të detajuar nga Kryeministri grek Alexis Tsipras dhe kryediplomati Nikos Kotzias.

“Besoj se do te ketë përparim, mbase jo zgjidhje përfundimtare. Por dëshirojmë që deri në verë ta kemi mbyllur këtë çështje. Besoj se këtë dëshiron ta bëjë edhe pala greke”,

u shpreh Zaev.

Ministrat e Jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë do të takohen më 27 Mars me pjesëmarrjen e ndërmjetësuesit të OKB-së Matthew Nimetz. Shkupi ka përmbushur shumë prej kërkesave të Greqisë, si shprehje e vullnetit për të zgjidhur një herë e mirë çështjen e emrit, për t’i hapur rrugë marrjes së ftesës për anëtarësimin në NATO, në samitin e Korrikut në Bruksel.

Tv Klan






Të ngjashme