Atmosferë e vakët për Botërorin
Botërori nisi por kryeqyteti nuk po e përjeton aq shumë atmosferën. Ndeshjen hapëse Rusi – Arabi saudite, në sheshin skënderbej e panë vetëm punëtorët që bënin përgatitjet e fundit të stendave dhe skenave për tifozë. Një pjesë e lokaleve dhe bareve në zonat më të frekuentuara janë mjaftuar me vendosjen e flamujve të skuadrave pjesëmarrëse në Botëror.
Ndoshta mungesa e ndonjë kombëtareje të rëndësishme si Italia apo edhe fakti që ndeshjet luhen në orët e drekës dhe pasdites, por ndoshta edhe shiu bënë që edhe interesimi i fansave të futbollit por jo vetëm të jetë i vakët.
Por për njohësit e futbollit, për ata që jeta i ka lidhur ngushtë me këtë sport, Rusi 2018 do të ketë surpriza. Një prej tyre do të jetë kombëtarja e Egjiptit.
Por cilat pritet të jenë skuadrat më të forta?
“Belgjika dhe Kroacia do të jenë shumë, por shumë të forta. Jam tifoz i Holandës, por meqenëse nuk janë, unë bëj tifo për Argjentinën. Nëse Mesi do të fitojë Kupën e Botës, ai do të jetë lojtari më i mirë i të gjitha Kohërave”, tha Sina.
Por në fund të fundit, futbolli është i bukur se është i paparashikueshëm. E rëndësishme është të ketë spektakël dhe festë.
Tv Klan