Australia mund të njohë Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit
Australia po konsideron mundësinë e njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit dhe të largojë ambasadën e saj nga Tel Aviv. Kështu është shprehur Kryeministri australian Scott Morrison, duke shtuar se vendi i tij mbetet i angazhuar për të gjetur një zgjidhje për konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës. Megjithatë, Kryeministri theksoi se duhet të konsultohet me kabinetin e tij dhe shtete të tjera aleate përpara se të marrë ndonjë vendim.
Nëse Australia vendos të njohë Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit, atëherë do të ndjekë SHBA-në në këtë politikë të re globale, që në fakt ka marrë kritika të shumta. Kundërshtarët politikë të Kryeministrit australian thanë se deklarata e tij është një mashtrim për të mbledhur sa më shumë vota përpara zgjedhjeve.
Scott Morrison tha gjithashtu se një skenar i ardhshëm mund të jetë që Australia të njohë Jeruzalemin Lindor si kryeqytet të Palestinës, dhe Jeruzalemin Perëndimor si kryeqytet izraelit.
Statusi i Jeruzalemit është një nga çështjet më të diskutueshme mes Palestinës dhe Izraelit. Vitin e kaluar, Presidenti amerikan Donald Trump ndryshoi politikën disa vjeçare të SHBA-së në këtë drejtim, kur njohu Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. /
tvklan.al