Autobusi del nga rruga, 4 të plagosur
Nuk kanë të ndalur aksidentet në rrugët e vendit. Një autobus i linjës Burrel-Tiranë ka dalë nga rruga dhe për pasojë 4 pasagjerë janë plagosur.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e së premtes, pranë "Urës së Karricës". Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spital. Sipas policisë, 3 personat të moshave 21, 42 dhe 45 vjeç ndodhen jashtë rrezikut për jetën në Spitalin e Burrelit. Ndërsa një 52-vjeçare me iniciale E.H, u transportua në QSUT për ndërhyrje të specializuar. Në autobusin e linjës Burrel-Tiranë udhëtonin 12 persona. Sipas policisë autobusi ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka dalë nga rruga, duke përfunduar në kanalin anësor të rrugës. Ende nuk dihen shkaqet e këtij aksidenti, ndërsa ekspertët janë duke hetuar në disa pista që lidhen me kushtet e rrugës, gjendjen e mjetit apo shpejtësinë e tij. Efektivët e policisë kanë marrë edhe dëshmitë e pasagjerëve dhe drejtuesit të mjetit. Në pak ditë aksidentet kanë qenë të shumta. Vetëm një ditë më parë 3 persona humbën jetën në Bulqizë, pasi automjeti i tyre doli nga rruga. Hetimet vazhdojnë edhe për aksidentin e Velipojës ku gjithashtu humbën jetën 4 të rinj. Tv Klan