Autoritetet e sigurisë frikë nga dronët, program për gjurmimin e tyre


Autoritetet e sigurisë frikë nga dronët, program për gjurmimin e tyre

07:57 08/05/2016

Një aplikacion i ri për telefonat inteligjentë gjurmon sinjalet e dronëve pranë aeroporteve ose aktiviteteve masive. Duke mbledhur të dhënat nga personat e regjistruar, programi do të ndihmojë në parandalimin e përdorimit të dronëve për terrorizëm.

Me shtimin e sulmeve terroriste në mbarë botën, ekspertët e sigurisë po shqyrtojnë mënyra të reja për forcimin e sistemeve të sigurisë. Tashmë të gjithë mundemi të ndihmojmë në këtë përpjekje. Duke instaluar një aplikacion falas, mund të japim ndihmën tonë në ruajtjen e stadiumeve apo aeroporteve nga sulme të mundshme.

Programi DroneWatcher shfrytëzon antenën WiFi të celularit për të monitoruar sinjalet nga pajisje fluturuese si dronët. Të dhënat e mbledhura nga celularët e ndryshëm u dërgohen automatikisht zyrtarëve të sigurisë. Njerëzit duhet vetëm ta instalojnë programin. Megjithëse aplikacioni është falas, kompania prodhuese do të paguhet prej organizatorëve të koncerteve, ndeshjeve dhe nga aeroportet për shfrytëzimin e të dhënave të mbledhura.

Tetorin e kaluar, avionët luftarakë turq rrëzuan një dron të paidentifikuar brenda hapësirës ajrore turke pranë kufirit sirian. Një vit më parë, një ndeshje ndërkombëtare në Beograd, ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, u ndërpre pasi një dron me një flamur të Shqipërisë së madhe, fluturoi mbi fushë përpara se të tërhiqej nga një lojtar i skuadrës serbe.

Konsulenti britanik i sigurisë, Matthew Finn, shpjegon rrezikshmërinë që këto dronë mund të paraqesin në të ardhmen. “

Nëse kontrollon një pajisje të tillë, mund ta dërgosh në zona sensitive, mund ta armatosësh, dhe mund të shkaktojë dëm të paimagjinuar në zona ku nuk mundet të hyjë një individ. Mund të futesh në një stadium futbolli, në një qendër tregtare dhe vende të tjera.

”/

tvklan.al






Të ngjashme