Autoritetet greke rihapin hetimet për vdekjen e 16-vjeçares shqiptare
Autoritetet greke kanë rihapur hetimet për vdekjen e një 16-vjeçareje shqiptare dy vjet më parë pas një vizite tek një dentist në Sarandë.
Babai i viktimës, i cili jeton në Janinë, nuk beson se vajza e tij ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale. Të dhënat e reja nga mjeku ligjor shtojnë edhe më shumë misterin mbi humbjen e jetës së 16-vjeçares.
Mbi bazën e këtyre të dhënave, prokuroria e Janinës ka urdhëruar ndjekjen penale kundër një personi, i cili ishte drejtuesi i taksisë që kishte transportuar në Greqi vajzën fatkeqe.
Sipas të atit të viktimës, drejtuesi i taksisë bashkëjetonte me nënën e vajzës pasi prindërit e saj ishin të divorcuar. Një ekspertizë e re nga mjeku ligjor Dimitris Galenteris, dëshmon se nga trupi i viktimës mungonin organe ose pjesë organesh.
16-vjeçarja fëmijë emigrantësh nga fshatrat e Sarandës, kishte shkuar për një vizitë rutinë te një dentist i qytetit bregdetar më 15 nëntor 2014. Pas kësaj, u nis bashkë me prindërit për t’u kthyer në Janinë ku banonin. Mirëpo rrugës kishte ndjerë shqetësime dhe taksia e kishte çuar në spitalin e Janinës, ku mjekët konstatuan se ajo kishte vdekur.
Atëherë mjekët kishin konkluduar se vdekja i kishte ardhur për shkak të një ataku në zemër. Por e vërteta duket se është krejt ndryshe dhe këtë pritet tashmë ta tregojë drejtësia./tvklan.al