Autoritetet serbe: Situata është nën kontroll
Vuçiç ndalon besimtarët në kisha për Pashkë
Ekspertët serbë thonë se gjendja është nën kontroll, përkundër faktit që janë shënuar edhe 5 viktima dhe 408 raste të reja pozitive, duke e çuar numrin në 4,873 persona me Covid-19. Në tërë Serbinë, të hospitalizuar janë mbi 3 mijë pacientë. Por nga ky numër jo shumë janë në gjendje kritike, pasi numri i atyre në respiratorë është 128. Ka vend për optimizëm, por jo shumë.
“Këtu na trimëron fakti që numri i pacientëve me respirator është i vogël. Situata në Serbi është nën kontroll, përveç asaj në Nish dhe Pozharevc”.
Gjendja e jashtëzakonshme në Serbi vazhdon dhe më nuk flitet për fundin e saj. Besimtarët ortodoksë kanë shpresuar se do të mund të shkojnë në kishë, por shpresat ua ka shuar presidenti.
“Nuk mund të bëjmë përjashtime dhe puna jonë është të ruajmë shëndetin. Natyrisht ne do të zbatojmë ligjin, ndërsa priftërinjtë nuk do t’i pengojmë në kryerjen e obligimeve dhe liturgjisë”.
Serbia ka shënuar një numër të madh të infeksioneve nëpër strehimore të ndryshme dhe spitale. Por, me gjithë mungesën e stafit, zyrtarët thonë se do t’ia dalin.
Tv Klan