Autoriteti Civil: 3 testimet treguan problemet e sigurisë në Rinas
Autoriteti i Aviacionit Civil ka reaguar në lidhje me grabitjen e ndodhur në Rinas para disa ditësh. Në një deklaratë të saj thuhet se Autoriteti i Aviacionit Civil i ka dërguar një raport drejtuesve të Aeroportit “Nënë Tereza” për dështimin e masave të sigurisë në 3 testime të organizuara prej tij.
Sipas Autoritetit te Aviacionit Civil në raport janë rekomanduar veprimet detyruese për korrigjimin e gjetjeve nga testimi i kryer.
“Në raportin e dërguar në dt. 13 maj 2016 janë evidentuar dështimet në zbatimin e 3 masave të sigurisë nga Aeroporti Nene Tereza”, thuhet në deklaratën e Autoritetit te Aviacionit Civil .
Me tej Autoriteti i Aviacionit Civil thotë se do të presë rezultatin e hetimit nga organet kompetente, rezultati i të cilit, bashkë me rekomandimet e AAC do t’i dorëzohet edhe Organit Shtetëror të Autorizuar, për ta vlerësuar atë kundrejt edhe detyrimeve të kontratës koncesionare, për pjesën që lidhet me zbatimin e masave të sigurisë së Aviacionit Civil të parashikuar në këtë kontratë. /TV KLAN